Çka ndodh me Teatrot shqiptar në Maqedoni?

TEATROT NË MAQEDONI
Çka ndodh me Teatrot shqiptar në Maqedoni? Disa nuk funksionojnë aspak, të tjerët me “gjysmë shpirti”, ndërsa Teatrot maqedonase, si zakonisht, buxhetet nuk iu mungojnë as për shfaqjet brenda vitit, e as për festivalet që organizojnë.

Edhe pse festivali i teatrove këtë fundvit duhej të mbahet në Teatrin e Tetovës, i njëjti dështoi, dhe, ç`është më e keqja, lere që dështoi festivali, por as edhe manifestimi jubilar për dhjetë vjetorin e Teatrit nuk është mbajtur. Kështu sivjet teatri i Tetovës, ka mbetur vetëm me shfaqjen e Qëndrim Rijanit, “Ushtria e Ui Tomasit”, e cila, edhe pse e vetme e realizuar në këtë teatër, ajo megjithatë arriti majat dhe mori çmimet gjithandej kah edhe prezantohej.
Pas kësaj, edhe pse në plan program vjetor ishin edhe shfaqje të tjera si të teatrit, nga repertori i tij i zakonshëm, po ashtu edhe shfaqje private, megjithatë rezultati mbeti baras me zero.
Por, falë Zotit, në vend të festivalit të Tetovës, doli në dritë një vullnet i mirë në Gostivar, me ç`rast, dy aktorët e këtij qyteti morrin mbi supe organizimin e një festivali ndërkombëtar të Teatrove, me përkrahje të subjekteve private dhe Komunës. Këtu, nuk do e përmendi ministrinë e kulturës të Maqedonisë e cila, PO, ka dhënë përkrahje për këtë festival, por ka ndihmuar me një shumë të atillë që, mbase as darkat për mysafirët nuk arrin dot t`i paguajnë, e mos të flasim për qëndrimin e tyre në hotel, sepse në këtë festival, marrin pjesë Teatro nga Durrësi, Ferizaj, Prishtina e tjerë. Them që nuk do e përmendi aspak Ministrinë e kulturës për mjetet që i ka lëshuar këtij festivali sepse, për pesë ditë shfaqje, me karakter garues, Ministria i ka ndarë një buxhet qesharak prej vetëm 100.000 denarësh, shumë kjo e cila është ndarë si duket sa për sy e faqe.
E njëjta gjë ndodh edhe me Teatrin e Kumanovës, ku drama shqipe, ka mjete për vetëm dy apo tre shfaqje, ndërkohë që ajo maqedonase, për 6 të këtilla. Dhe këtu është tejet për tu habitur fakti se, çka ka bërë Ministria e Kulturës dhe me çka është marrë? Ose më thjeshtë thënë, çka ka bërë ish sekretari Shtetëror Behixhudin Shehabi, dhe përse nuk është kujdesur për institucionet shqiptare të kulturës?!
Mbetet të shohim rezultatin nga, sekretari i ri shtetëror i Ministrisë së kulturës, nëse edhe ai do vazhdojë me avazin e vjetër, apo do i lëviz punët nga zeroja në plus.
Dhe fare në fund, një porosi për Aktorët shqiptarë në Republikën e Maqedonisë.
Të nderuar dhe shumë të respektuar aktorë, çka prisni, përse nuk e ngrini zërin për ta mbrojtur buken tuaj? Apo mos prisni që pas ca kohe, të kaloni edhe ju me role tek Teatrot Maqedonase, dhe të performoni atje, ku Ministria lëshon para për zhvillimin e kulturës?!!

P.S.
Këtu nuk do përmendi Teatrot Maqedonase, dhe shumat që kanë marrë ata nga Ministria e Kulturës, sepse më vjen inat t`i shkruaj milionat e denarëve që marrin ata, në krahasim me Teatrot shqiptare që janë disa herë më të vogla.
Bashkim Sulejmani