“E kam thënë disa herë: Shqipëria është fqinji më i mirë i Maqedonisë. Besoj se bisedimet e sotme me kolegun Nikola Dimitrov, e dëshmuan këtë gjë”, ka shkruar në facebook ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, pas takimit me homologun maqedonas Nikola Dimitrov. Pas disa muajve harresë, Bushati ka përmendur Deklaratën e Pative Parlamentare Shqiptare në Maqedoni, ndryshe e njohur si Platforma Shqiptare, shkruan Gazeta “Lajm”.
“Arritja e barazisë, si koncept qeverisës, midis shqiptarëve dhe maqedonasve, në përputhje me Marrëveshjen Kuadër të Ohrit dhe Deklaratën e Partive Parlamentare Shqiptare, përbën faktor kyç për zhvillimin dhe forcimin e një Maqedonie demokratike, shumë-etnike, të integruar në NATO e BE.
Kemi të gjithë potencialin dhe vullnetin për të krijuar një aks të ri zhvillimor me Maqedoninë, duke modernizuar njëkohësisht infrastrukturën tonë rrugore, hekurudhore dhe detare dhe duke ofruar më shumë mirëqënie për shtetasit tanë. Ky do jetë objektivi kryesori i mbledhjes së dy qeverive që do të mbahet për herë të parë në vjeshtë”, ka shkruar Bushati.
