Babai i Messit mbërrin në Barcelonë: Unë nuk di asgjë (video)

Advertisment

Jorge Messi, babai dhe menaxheri i Lionel Messit, ka mbërritur në Barcelonë të mërkurën herët në mëngjes, para një takimi vendimtar me presidentin e Barçës, Josep Maria Bartomeu, për të ardhmen e djalit të vet.

I pyetur në aeroport rreth çështjes se Messit, Jorge tha se ai nuk di asgjë.

Reklame

Jorge erdhi nga vendlindja, Rosario në Argjentinë, në përpjekje për t’u ulur në tavolinë me shefin e klubit katalonas për ta gjetur një zgjidhje për largimin e Messit nga Camp Nou.

Ai dhe Bartomeu do të takohen sot gjatë ditës dhe qëndrimet mes palëve janë tejet të kundërta.

I pyetur në aeroport nga gazetarët se çfarë po ndodhë, Jorge u përgjigj shkurtimisht: “Unë nuk di asgjë”.

Lionel Messi, i cili e dorëzoi një shkresë largimi në fillim të javës së kaluar dhe nuk u paraqit në stërvitjet e para të Barçës për sezonin e ri këtë javë nën urdhrat e trajnerit të ri Ronald Koman, nuk e vlerëson veten lojtar të Barcelonës më.

Ai dëshiron të largohet falas, duke u thirrur në një klauzolë në marrëveshjen e vet me klubin e cila ia mundëson largimin pa asnjë qindarkë.

Por gjashtë herë fituesi i Topit të Artë dëshiron të largohet në mënyrë miqësore prandaj edhe ka kërkuar takim.

Barcelona, në anën tjetër, ende e vlerëson Messin kapiten të skuadrës dhe këmbëngul se ai mund të largohet vetëm nëse paguhet klauzola e lirimit në vlerë 700 milionë euro.

Për këtë klubi katalonas e ka mbështetjet e ligës elitare spanjolle, La Liga, po ashtu.

Derisa Barcelona pretendon se klauzola mbi të cilën Messi u thirr kur e dërgoi shkresën e largimit ka skaduar më 10 qershor, avokatët e përfaqësuesit argjentinas argumentojnë se ajo ka qenë e vlefshme deri në fund të gushtit, për shkak të shtyrjes së sezonit 2019/20 deri më 23 gusht, si pasojë e pandemisë koronavirus.

Manchester City është në pritje të lajmeve nga Barcelona për Messin, dhe thuhet e ka përgatitur një ofertë marramendëse për të. /Gazeta Express/