Dy koka njerëzish janë vjedhur nga varrezat e qytetit Melbourne të Australisë. Policia thotë se kr imi i tmerrshëm i ka shqetësuar familjet e trupave të prekur.
Besohet se nga arkivolet nuk është marrë asgjë tjetër. Ngjarja e pazakontë raportohet të ketë ndodhur në varrezat “Footscray”, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.
Ushtruesi i detyrës së inspektorit policor në Victoria, Ben Jarman, tha se vjedhja e parë ndodhi në natën mes 27 e 28 janarit, ndërsa vjedhja e dytë në natën mes së hënës dhe të martës këtë javë.
Rastet u lajmëruan në polici, pasi kalimtarët vërejtën se varret ishin dëmtuar. Varret e dëmtuara ndodhen në pjesën e pasme të varrezës.
“Është shumë shqetësuese për familjet. Sigurisht, ata nuk kanë pritur që ky lajm t’u shkojë nga Policia e Victoria-s. Ata presin që të dashurit e tyre të vendosen për të pushur në paqe”, tha Jarman.
Zyrtari australian shtoi se nuk dihet ndonjë lidhje mes dy personave varret e të cilëve ishin cak i krimit. Edhe një hapësirë tjetër është dëmtuar, por ajo ishte vend i blerë paraprakisht dhe brenda nuk kishte mbetje njerëzore.







