Danimarka do t’i lejojë shtetasit e saj t’i bashkohen brigadave ndërkombëtare që formohen për të luftuar në Ukrainë kundër forcave ruse, tha të dielën kryeministrja Mette Frederiksen.
“Është një zgjedhje që çdokush mund të bëjë. Kjo vlen për të gjithë ukrainasit që jetojnë këtu, por edhe për të tjerët që mendojnë se mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në konflikt. Nuk ka asgjë në shikim të parë që do të pengonte ligjërisht dikë që të shkojë në Ukrainë për të marrë pjesë në konflikt, nga pala ukrainase”, shtoi ajo.
Më herët të dielën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje të huajve që të shkojnë në ambasadat ukrainase në mbarë botën për t’u regjistruar në një “brigadë ndërkombëtare” vullnetarësh për të ndihmuar në luftimin e forcave pushtuese ruse.
Ai më parë u kishte bërë thirrje të huajve me përvojë luftarake që të vinin për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit të tij.
Kryeministrja daneze Frederiksen më parë iu bashkua 10,000 njerëzve përpara ambasadës ruse në Kopenhagë për të dënuar pushtimin./21Media








