Muhamed Zekiri 30 ditë në “Shutkë”! Brenda 1 viti dy sekretarë të Qeverisë shkojnë prapa grilave

Edhe pse Gjykata dha urdhër që të sillet në shoqërim të policisë, Muhamed Zekiri vet u paraqit në Gjykatë bashkë me avokatin e tij. Dëgjimi i sekretarit gjeneral të Qeverisë zgjati disa orë. Por, një orë para mesnatës, nga Gjykata doli prokurorja publike. Ajo tha se ka kërkuar paraburgim për Zekirin, pasi dyshojnë se mund të arratiset. Dëshmi formale për këtë, ende nuk kishin.

“-A keni dëshmi se ai po planifikon të arratiset?
-Në këtë moment dëshmi, nëse e keni fjalën në ndonjë kuptim formal, jo, nuk kemi.
-E ndonjë dyshim?
-Dyshim po.
-Pse?
-Këto janë njohuri operative që janë prezantuar para Gjykatës. Nëse i pranon gjykata do t’i shpjegoj“,tha Katerina Kollareviq, Prokurore Publike.

Reklame

Disa minuta para mesnatës, me dy vetura policore, Muhamed Zekiri u transportua në “Shutkë”. Gjykata e pranoi kërkesën e Prokurorisë, e cila dyshonte se ai mund të arratiset, prandaj i shqiptoi masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Rastësisht apo jo, Zekiri është sekretari i dytë i përgjithshëm i Qeverisë i cili përfundoi prapa grilave. Paraprakisht, fatin e njëjtë e pati edhe Dragi Rashkovski, pozitën e të cilit në Qeveri e trashëgoi pikërisht Zekiri. Vetëm një vit më parë, kështu fliste Zekiri për paraardhësin e tij, Rashkovski:

“Atë që duhet ta dimë është se çdo funksionar do ta mbajë përgjegjësi për atë që po bën. Sigurisht, ne nuk jemi këtu për të amnistuar dikë, nëse e ka shkelur ligjin. Kushdo që ta shkelë ligjin, duhet të përgjigjet. Këtë e kam thënë shumë herë, për këtë kam luftuar dhe do të luftoj. E kam thënë bile edhe po të ishte vëllai im, në qoftë se e ka shkelur ligjin, duhet të mbajë përgjegjësi”, kishte deklaruar Muhamed Zekiri, Sekretar gjeneral i Qeverisë.

E sipas aktakuzës, Zekiri e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare. Dyshohet se në periudhën nga prilli i viti 2021 deri në janar të vitit 2022, duke e shfrytëzuar pozitën e tij dhe pa zbatuar procedurë për furnizim publik, ka lidhur marrëveshje për shërbime konsulente me një person juridik, kurse është ndihmuar nga dy shtetas kroatë. Jozyrtarisht, bëhet fjalë për një studim fizibiliti për privatizim të “Postës së Maqedonisë”. Pas hetimit të kryer, kroatët janë në Kroaci, kurse Zekiri në “Shutkë”.

Por siç ndodh zakonisht, edhe kësaj here partitë politike me qëndrime të tyre.

“Pas Rashkovskit, edhe Muhamed Zekiri është i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe përvetësim të pothuajse një 1 milionë eurove. Të dy, veprën e kanë kryer si sekretarë gjeneralë të Qeverisë të emëruar nga Zoran Zaevi dhe të dy janë njerëz të afërt me Zoran Zaev. Njërin e ka shok të ngushtë, e tjetrin kumbar. Jini të sigurt se edhe ai që do të emërohet pas Muhamed Zekirit, do të përfundojë me padi penale”, Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

“Ka dallim të madh nga koha e regjimit kur institucionet, gjyqësori dhe prokuroria ishin nën kontroll të VMRO-DPMNE-së, e në vend që të përndjekin, ata e mbronin krimin. Askujt nuk i kishte shkuar në mëndje të mbajë përgjegjësi, e as të japë dorëheqje, kurse sot nuk është më kështu“, tha Daniella Nikollova, deputete e LSDM-së.

Muhamed Zekiri dha dorëheqje nga posti i sekretarit të përgjithshëm, menjëherë pasi Prokuroria shpalli rastin kundër tij. Kryeministri Kovaçevski e pranoi dorëheqjen dhe së shpejti Qeveria duhet ta emërojë sekretarin e tretë gjeneral.