Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, znj. Fatmire Isaki, sot realizoi takim me znj. Megi Fino, Zëvendësministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Në takim të dy palët shprehën kënaqësinë nga komunikimi i shkëlqyer indërsjellë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, për bashkëpunimin në më shumë fusha me interes të përbashkët, si dhe për aktivitetet të cilat i lidhin të dy vendet në një perspektivë të përbashkët, në kuadër të integrimit evropian. Është konfirmuar përkushtimi i përbashkët ndaj parimeve evropiane, vendosmëria dhe angazhimi i të dy vendeve në zbatimin e reformave të nevojshme në rrugën drejt integrimit evropian, si dhe pritshmëritë e arsyeshme për përparim të dukshëm në gjysmën e parë të këtij viti.
Vizita u shfrytëzua për shkëmbimin e mendimeve dhe shqyrtimin e mundësive për avancimin e bashkëpunimit bilateral, i cili tashmë po realizohet me intensitet dhe me përmbajtje të rëndësishme përmes projekteve dhe iniciativave konkrete. Situata e këtillë ekzistuese do të konfirmojë dhe do ta inkurajojë vullnetin e përbashkët për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal.
Në kuadër të bashkëpunimit bilateral u përsërit interesimi për mbajtjen e seancës së dytë të përbashkët të Qeverive në rastin e parë të mundshëm, që do të paraqesë mundësi për nënshkrimin e Marrëveshjeve të reja bilaterale edhe për pasurimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat në të cilat do të identifikohet interesi i ndërsjellë.

Ishte i përbashkët konstatimi se bashkëpunimi ekonomik paraqet një nga prioritetet e politikës së jashtme të të dy vendeve, fushë ku ekzistojnë mundësi dhe kapacitete të pashfrytëzuara për zhvillimin e mëtejmë në drejtim të arritjes së zhvillimit ekonomik të të dy vendeve dhe të rajonit në tërësi, e me këtë edhe ngritja e standardit të qytetarëve. Veçanërisht u theksua domosdoshmëria për intensifikimin e bashkëpunimit në realizimin e projekteve për lidhjen infrastrukturore dhe energjetike edhe në fusha të tjera si në fushën e tregtisë, turizmit, kulturës, arsimit.
Si vend aleatë të NATO-s, u theksua gatishmëria për të vazhduar dhe pasuruar bashkëpunimin e ndërsjellë, për të dhënë një kontribut më aktiv për sigurinë në Rajon dhe më gjerë edhe në plan multilateral.








