Rreziku për ardhjen e virusit të shpendëve në Maqedoni bëhet më evident. Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë theksuan se zogjtë shtegtarë mund ta sjellin virusin dhe ta përhapin tek shpendët e zbutur, shkruan Alsat.
Virusi veçse është aktiv në vendet fqinje, në Dibrën e Shqipërisë dhe në Prespën e Greqisë. Ata thanë se kanë aktivizuar planin emergjent të parandalimit përmes Qendrës nacionale për kontroll të sëmundjeve.
“Bëmë regjistrim të jashtëzakonshëm të gjithë shpendëve, vendosëm masa restriktive. Ndaluam që pulat të mbahen në ambiente të hapura, mos tu ndërrojë seksionet, prodhuesit nuk mund të mbajnë panaire. Në tregje kemi ndaluar shitjen e pulave. Pa dallim a ka 1-10 apo 10 000 pula të infektuara të gjitha duhet të asgjësohen në atë fermë, pastaj bëhen dezinfektime dhe pas një kohe të caktuar të rifillohet me punë”, tha Nikolla Babovski, Drejtor i Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë.
Megjithatë, sipas Babovskit, Agjencia veçse ka përgatitur dhe ka vënë në dijeni të gjitha stabilimentet vendore lidhur me këtë zhvillim, duke u përgatitur edhe protokolle për izolimin dhe asgjësimin e rasteve të tilla me shpend të prekur ose të ngordhur. Afaristët thonë se kanë ndërmarrë masat e sigurisë.
“Rreziku kur kemi migracion të zogjve nga Evropa e Veriut drejt Afrikës në jug dhe anasjelltas. Për tu bartur sëmundja nga zogjtë e egër tek shtëpiakët duhet të kenë kontakt direkt mes tyre. Nëpër ferma ky fenomen është eliminuar, por mund të ndodh tek pulat e fshatit që ruhen nëpër ambiente të hapura”, u shpreh Abdulelez Dogani, Afarist.
Nga Ministria e Bujqësisë theksojnë se janë në koordinim të vazhdueshëm me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe janë syçelë ndaj zhvillimeve në vendet e rajonit. Në muajin shkurt pati dy raste të izoluara të virusit në zogjtë të egër, por që atëherë masat parandaluese janë në funksion në gjitha fermat.
“Ministria e Bujqësisë në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë po ndjek me vigjilencë situatën me paraqitjen e gripit të shpendëve në rajon, dhe janë marrë masat përkatëse sipas vendimit të dhënë për mbrojte dhe kontroll nga ana e Agjencisë”, thonë nga Ministria e Bujqësisë.
Virusi H5N8 në vendet fqinje, sipas autoritete, nuk transmetohet te njeriu, sikurse ndodhte me virusin H5N1 që pati prekur gjithë botën në vitin 2016. Në Shqipëri veçse janë asgjësuar mbi 5 mijë krerë pulash, ndërkohë që përveç stabilimenteve, situata ka dalë jashtë kontrollit duke prekur edhe në zonat rurale përreth tyre. Në vendin tonë janë të evidentuara mbi 1 milion pula nëpër ferma./ Alsat.mk









