“Pranë çdo burri të suksesshëm, qëndron një grua e fortë”. Ndërkohë që vëmendja e gjithë botës është përqendruar në Ukrainë, presidenti i të cilës në sytë e njerëzve po shihet si një heroi i ditëve moderne, shumë gra me ndikim janë bërë “fytyra” e rezistencës ukrainase, në mesin e të cilave edhe zonja e parë Olena Zelenska. Por kush është Olena Zelenska, një nga gratë më me ndikim në Ukrainë?
Olena Zelenska, ka preferuar gjithmonë të jetojë jetën e saj larg vëmendjes. Skenariste me profesion, ajo do të shkruante serialin televiziv komedi satirë politike ukrainase “ Shërbëtori i Popullit”, ku rolin kryesorë e luan bashkëshorti i saj Volodimir Zelenski. Pikërisht ky rol i solli Zelenskit një famë të jashtëzakonshme dhe pasuri që matet në milion.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se Olena kishte kundërshtuar fuqishëm që bashkëshorti i saj të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 në Ukrainë. Megjithatë kur kishte ardhur momenti i angazhimit të tij në jetën politike, ajo kishte qëndruar krah tij, duke e mbështetur maksimalisht. Kandidimin e tij ajo e kishte mësuar nga mediat dhe kur e kishte pyetur se përse nuk i ka treguar, përgjigja e presidentit ukrainas ishte se ka harruar. Në një intervistë të saj dhënë në Uashington gjatë vitit të kaluar, thotë:
“Preferoj të qëndroj në prapaskenë. Im shoq është gjithmonë në ballë, ndërsa unë ndihem më rehat në hije. Unë nuk jam jeta e festës, nuk më pëlqen të tregoj batuta. Nuk është në karakterin tim. Por gjeta arsye për veten time në favor të publicitetit. Një prej tyre është mundësia për të tërhequr vëmendjen e njerëzve për çështje të rëndësishme sociale”, tha Olena Zelenska-zonja e parë e Ukrainës.
Edhe pse ajo dhe dy fëmijët e saj janë shënjestra e dytë e Rusisë, ashtu si edhe Zelenski, ka refuzuar të evakuohet, por për arsye sigurie vendndodhja e tyre mbetet e fshehtë. Përmes një postimi në Twitter ajo thotë se rezistenca ukrainase ka fytyrë femërore.
“Para luftës kam shkruar një herë se ka dy milionë më shumë gra në Ukrainë se burra. Statistikat janë të tilla. Dhe tani ajo merr një kuptim krejtësisht të ri. Sepse kjo do të thotë se rezistenca jonë aktuale ka një fytyrë veçanërisht femërore. Admirimi dhe përkulja ime për ju, bashkatdhetarë të pabesueshëm!”, u shpreh Olena Zelenska- zonja e parë e Ukrainës.
Olena dhe Presidenti Volodimir u martuan në vitin 2003 pas tetë vitesh së bashku dhe patën një vajzë, Aleksandra, në 2004 dhe një djalë, Kiril, në 2013. Edhe pse Olena Zelensky dhe Volodimir Zelenski kishin qenë shok klase, ata nuk i kishin rënë në sy njëri- tjetrit deri në studimet e larta. /Alsat.mk








