Luftanija ruse Moskva është fundosur në Detin e Zi, pas dëmtimeve që ka pësuar gjatë operacionit ushtarak në Ukrainë, ka thënë Ministria ruse e Mbrojtjes në orët e vona të 14 prillit.
Ministria ka thënë se anija është fundosur derisa ka qenë duke u tërhequr në port për t’i ikur një stuhie.
Ky institucion ka thënë se anija është dëmtuar rëndë si pasojë e zjarrit, derisa zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat e tyre kanë goditur anijen me raketa.
“Anija ka humbur balancën si pasojë e zjarrit dhe më vonë municioni ka shpërthyer”, ka thënë Ministria sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.
“Duke marrë parasysh detet e trazuara, anija është fundosur”.
Humbja e anijes, e cila mban emrin e kryeqytetit rus, është parë si humbje simbolike për Moskën, e cila veçse ka tërhequr forcat e saj nga pjesa veriore e Ukrainës më herët gjatë këtij muaji.
Anija Moskva ka mbajtur 16 raketa lundrimi me rreze të gjatë dhe humbja e saj do të zvogëlojë kapacitetet e Rusisë për të nisur sulmet nga Deti i Zi.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë fillimisht se zjarri e ka nxitur shpërthimin e municionit dhe më pas ekipi është evakuuar.
Ajo e ka mohuar se anija është sulmuar.
Mirëpo Maksym Marchenko, guvernator ukrainas për rajonin rreth Odeseas dhe Detit të Zi, ka thënë se anija është goditur nga dy raketa ukrainase Neptun.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka thënë se fundosja e kësaj anijeje përbën “goditje të madhe për fuqinë detare të Rusisë në Detin e Zi”.
“Ajo është kyçe në përpjekjet për të treguar dominim detar në Detin e Zi”, ka thënë ai për rrjetin televiziv amerikan, CNN.
Pas këtyre zhvillimeve, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy ka bërë thirrje sërish që shtetet e Perëndimit të dërgojnë më shumë armë në Ukrainë.
“Ne nuk frikësohemi nga asgjë, sepse ne e dimë për çfarë jemi duke luftuar”, ka thënë Zelensky në një postim në Twitter.
“Ne kemi mjaftueshëm kurajë për t’i dhënë fund djallëzisë. Mos e ushqeni makinën ushtarake ruse. Ndihmojeni Ukrainën me armë. Paqja dhe e mira më pas do të fitojnë më shpejt”.
Një ditë pas fundosjes së anijes, Zelensky ka përshëndetur njerëzit e tij për gatishmërinë që kanë treguar prej kur Rusia ka nisur pushtimin në Ukrainë – më 24 shkurt – duke thënë se “vendimi për të luftuar është më i rëndësishmi në jetën e tyre”.
Zelensky u ka thënë ukrainasve se ata duhet të jenë krenarë që kanë mbijetuar 50 ditë nën sulmin rus, kur pushtuesi “na ka dhënë një maksimum prej pesë ditësh”.
Rusia ka akuzuar forcat ukrainase se kanë nisur sulme ajrore në rajonin rus Brajansk më 14 prill, duke plagosur civilë.
Komiteti Hetues i Rusisë ka pretenduar se dy helikopterë ushtarakë ukrainas kanë hyrë në hapësirën ajrore të Rusisë dhe kanë kryer sulme ajrore në ndërtesa banimi në fshatin Klimovo.
Këshilli Kombëtar për Siguri dhe Mbrojtje të Ukrainës ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur “përpjekje për të rritur histerinë anti-Ukrainës në Rusi”. /REL/









