Muaji i shenjtë i Ramazanit sot ka hyrë në ditën e pestë. Sic është e ditur nga momenti i syfyrit kur lind dielli e deri në iftar perëndon dielli, besimtarët musliman nuk hajnë dhe nuk pijnë asgjë.
Shumë nga agjëruesit janë edhe figurat publike politike.
Open-TV ju sjell deklaratat e tre politikanëve nga Kumanova, Admirim Aliti, ministër i Shoqërisë Informatike në Qeverinë e RMV-së nga radhët e Alternativës si dhe deputetëve në Kuvendin e RMV-së, Berat Ajdari (BDI) dhe Elmi Aziri (ASH).
Në pyetjet tona se si kanë qenë këto ditë të para të muajit të bekuar të Ramazanit, prej kur agjërojnë dhe nëse i zë Ramazani, ata janë shprehur:
Admiri Aliti, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës
-Për mua, Ramazani është pothuajse përherë zbulues i përjetimeve të pazakonta. Përjetimi i parë që më jep agjërimi është verifikimi periodik i aftësisë për t’i vënë kufij egos. Sepse agjërimi nuk është thjesht braktisje e disa akteve të jashtme por është edhe braktisje e disa gjendjeve të brendësishme.
Një nga sëmundjet që besoj të gjithë agjëruesit janë në gjendje të shquajnë gjatë këtyre 30 ditëve është një opinion pozitiv i ekzagjëruar rreth vetes. Në një epokë kur gjithçka bëhet për vetveten, kjo është një pasojë logjike. Thuajse çdo formulë e narrativës dominuese na thotë ‘ji vetvetja’, ‘provo veten’, ‘shpërbleje veten’, ‘zbulo vetveten’” etj. Egoja këtë kërkon: të jetë në qendër të përpjekjeve tona për ta kënaqur. Por nëse arrin ta këqyrësh me sadopak kthjelltësi, kupton se ajo është përmasa më e dobët dhe më e sëmurë e njeriut.
Agjëroj që në moshë të vogël, siç është edhe praktika shoqërore ne komunitetet shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Ramazani na e ndryshon disi rutinën, jo në mënyrë drastike, pasi myslimanët që i shikojnë dhe i praktikojnë ritet fetare rregullisht kanë një agjendë ditore që ndryshon paksa nga ajo e njeriut modern të orareve zyrtare.
Është krejt normale që ka fillimisht një zbehje të energjive. Kjo shkon dora-dorës me një riorientim të energjive nga aktivitetet në shërbim të vetvetes në aktivitetet në kontroll të vetvetes. Sa i përket punës, punët e zyrtarëve nuk janë të mundimshme fizikisht që të përbëjnë një sfidë për agjëruesit.
-Falë Zotit gëzoj shëndet të mirë dhe nuk kam probleme me qëndrimin për një kohë më të gjatë pa ushqim dhe pa pije. Prandaj, nuk mbaj mend që si i rritur të kem patur ndonjë herë vështirësi në mbajtjen e rregullt dhe normale të agjërimit.
Elmi Aziri, deputet i ASH-së
-Unë e mbaj Ramazanin! Është më shumë tendencë për vetdisiplinim se sa privim nga ushqimi! Esenca e agjërimit është qetësia shpirtërore, menaxhimi emocional, dhe braktisja e rutinës ditore! Andaj është madhështor muaji i Ramazanit! ramazanin e agjëroj në tre vitet e fundit, më herët nuk kam agjëruar.
-Nuk më zë Ramazani, sepse mundohem të arrij qëllimet e tij, disiplina dhe vetktontrolli.
Berat Ajdari, deputet i BDI-së
-Ditët e para kanë qenë normale, e kemi pritur shumë, si të thuash kemi qenë edhe të përgatitur. Agjëroj që nga mosha e re e fëmijërisë. Gjatë këtij muaji të bekuar të Ramazanit ndjehem edhe më i plotësuar shpirtërisht.
-Asnjëherë nuk më zë Ramazani, sepse kam besim të madh në vetevete. Gjatë agjërimit jam shumë i qetë.
Në kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka edhe shumë deputetë që agjerojnë muajin e Ramazanit./Open-TV.









